Sekreti i familjes së 14-vjeçares së vrarë zbulon arsyen e krimit: Ja pse babai mori pjesë në rrëmbimin e saj
Aleksandar Gjorçevska, babai i adoleshentes së vrarë Vanja, ndodhet në paraburgim, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij, që rezultoi në vrasjen e saj. Babai i Vanja Gjorçevska, siç dyshohet, ka dashur t’i zhvasë para nënës së saj dhe janë marrëdhëniet familjare ato që zbulojnë motivin e lëvizjeve monstruoze të Aleksandrit.Prokurori maqedonas, Gavril Bubevski, deklaroi se ka informacione se nëna e viktimës së fundmi ka shitur shtëpinë, pra ky ka qenë edhe motivi i rrëmbimit të vajzës.
Ai ka thënë se babai i vajzës ka qenë në kontakt me të dyshuarin kryesor që është arrestuar mbrëmë (5 Dhjetor), të cilit i ka treguar për këtë, si dhe se kur do të largohet vajza nga shtëpia.
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, tha se ky është një krim i paprecedentë, një rast i izoluar, i kryer nga kriminelë monstra të cilët kanë dashur të përfitojnë materialisht, të vetëdijshëm se nëna e ka shitur banesën para pak kohësh.
“Rasti është zgjidhur me sukses dhe në tërësi, janë siguruar provat dhe rrëfimet”, tha Spasovski.
Ai tha se zbardhja e atij rasti nuk ka sjellë rezultatin e dëshiruar sepse edhe vajza edhe 74-vjeçari i cili po ashtu është zhdukur janë gjetur të varrosur, një në afërsi të Shkupit dhe një në afërsi të Velesit.
Babai i së ndjerës është marrë në pyetje në prokurori dhe ka mohuar përfshirjen në rrëmbimin e vajzës së tij, por i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit se do të ndikonte në hetim.
Mirëpo, fjalët e fqinjëve të kësaj familjeje nga Shkupi mund të zbulojnë motivet më të thella të Aleksandrit, i cili tronditi rajonin për faktin se dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij.
Sekretet familjare
Vanja, dëshmojnë miqtë dhe profesorët e saj, ishte një vajzë gazmore, e zgjuar. Të hënën, një javë pas rrëmbimit të saj dhe njëzet orë pas gjetjes së trupit të pajetë, shokët e shkollës së Vanjës, prindërit dhe mësuesit e tyre, nënshkruan Librin e Vajtimit.
“Është e dhimbshme për ne të flasim për gjithçka. Ishte e qetë dhe e zellshme, i përmbushte detyrimet, një vajzë që nuk ishte në asnjë klan, merrej vesh me të gjithë, por them, ishte e qetë. Dimë vetëm se ajo ishte një vajzë e mrekullueshme që ëndërronte për të ardhmen”, ka thënë për Jutarnji list një nënë nga Shkupi, vajza e së cilës ndjek të njëjtën shkollë.
Siç u bindën gazetarët, askush në Shkup nuk do të flasë hapur për dyshimet e tyre se pse Vanja e pati një fat kaq të tmerrshëm. Megjithatë, një gazetar i tha Jutarnji list se prindërit e Vanjës janë të divorcuar, dhe se gjyshi i Vanjës, babai i nënës së saj, është një burrë i pasur. Tani ekziston mundësia që babai Aleksandri, i revoltuar kundër familjes së ish-gruas, të ketë dashur të nxjerrë para prej tyre, duke e ditur se sa të pasur janë.
Gjithçka ka të bëjë me babain, i cili, siç e dimë, nuk ishte aspak një figurë pozitive në jetën e tyre. Ai dhe nëna e Vanjës ishin të divorcuar, gjyshi i Vanjës ishte drejtor i doganës dhe një njeri i pasur diku në vitin 2002 dhe të gjitha këto i trashëgoi nëna e Vanjës. Ata thonë se ai ishte i interesuar për para. Nga e dinin orën e saktë kur Vanja shkon në shkollë?
Ata që u arrestuan thonë se ai u tha atyre këtë. Supozohet se ai nuk e dinte që Vanja do të ishte vetëm, ndaj dyshohet se qëllimi ishte rrëmbimi i të dyja vajzave. Prandaj, të gjithë këtu dyshojnë në motivet materiale të babait të drejtuara ndaj ish-gruas së tij. Nuk dihet pse e vranë vajzën nëse synonin të shantazhonin nënën e saj. Diçka duhet të ketë shkuar keq. Doli shumë, shumë keq kur u vra një vajzë 14-vjeçare”, tha për Jutarnji një gazetar maqedonas që merret me kronikën e zezë.