Pjesëmarrës në atentat dyshohet se kanë qenë 4 persona, që lëviznin me 2 automjete Range Rover, raporton News24. Atentatorët kanë hyrë në zyrën e Gjeloshit, jo nga dera kryesore, por nga një pjesë, që nuk është e rrethuar. Në pjesën fundore, rrethimi ndërpritet.
Atentatorët kanë pritur ardhjen e Ardjan Gjeloshajt për ta qëlluar, pasi ai lëvizte me makinë të blinduar. Duke qenë se lëvizte me automjet të blinduar, vrasësit e dyshuar e kanë pasur të vështirë që të godasin objektivin. Kur atentatorët kanë hyrë në zyrë, kanë qëlluar mbi Gjeloshajn dhe ekonomistin 70-vjeçar. Pas kësaj, ata janë larguar me makina.
Për atentatin, policia është duke hetuar në tre pista. Pista e parë është ajo për konfliktet në biznes. Pista e dytë është ajo e hakmarrjes. Kjo, pasi 22 vite më parë, vëllai i Gjeloshajt është përfshirë në një ngjarje.
Ndërsa, pista më e mundshme, ku policia ka fokusuar hetimet, është fakti se Ardjan Gjeloshaj mund të kenë pasur dijeni për disa ngjarje kriminale në vend, kryesisht në veri. Dyshohet se biznesmeni ka pasur dijeni për një vrasje të ndodhur në Rrëshen, por edhe për vrasje që kanë ndodhur në Lezhë dhe në Fushë-Kuqe. Autorët nuk kanë lënë gjurmë, që mund të çojnë në identifikimin dhe arrestimin e tyre. Nuk është hera e parë që Gjeloshajt i bëhet atentat. Ai dhe më herët ka qenë “shënjestër” në atentate dhe ka shpëtuar mrekullisht.