Në Shqipëri kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici, dha sot dorëheqjen nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje në të cilën ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij. Menjëherë më pas dhe Qeveria njoftoi se kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra, ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit kishte regjistruar ndërkohë një procedim penal ndaj Gjicit
Një tjetër kryebashkiak socialist, përfshihet në një skandal me sfond seksual. Pas rastit të ish drejtuesit të Bashkisë së Dibrës, i cili 7 vjet më parë, u filmua duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune, sot në rrjetet sociale qarkulloi videoja e kryetarit të Bashkisë së Kukësit Safet Gjici, i rizgjedhur në këtë post më 14 maj, si përfaqësues i Partisë socialiste, teksa kryente marrëdhënie seksuale në zyrën e tij. Sipas të dhënave në video, filmimi rezulton të jetë realizuar 10 ditë më parë, rreth orës 16.00.
Reagimi i parë erdhi nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit, kompetencë e së cilës janë dhe veprat penale të funksionarëve të lartë të shtetit. Kjo prokurori bëri të ditur se kishte nisur një procedim penal, me iniciativë të saj.
Kryebashkiaku i Kukësit, njoftoi më pas, përmes një postimi në Facebook, dorëheqjen si “një detyrim minimal” ndërsa kërkoi ndjesë publike ndaj “kujtdo që ka parë atë material të shëmtuar video”. Në postimin e tij, kryebashkiaku pranon se “prej disa kohësh ka një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë”, duke shtuar megjithatë se “nuk ka asnjë justifikim për atë çfarë ka ndodhur, pavarësisht se i rënë në kurth”, shkroi ai. Ndonëse përballë një rasti flagrant, kryetari i Bashkisë, përpiqet t’i japë edhe kësaj ngjarjeje ngjyrime politike, duke fajësuar kundërshtarët e vet politikë.
Më vonë, qeveria, në përfundim të mbledhjes së saj, njoftoi përmes ministres së Financave, se kishte vendosur shkarkimin e Gjicit nga detyra, pavarësisht njoftimit të këtij të fundit për dorëheqje.
Prokuroria e posaçme ka bërë të ditur se do të kërkojë shoqërimin e Gjicit për ta marrë në pyetje. Në vitin 2016, ish kryebashkiaku i Dibrës, Xhelili, u arrestua dhe u dënua më pas me 2 vjet e 8 muaj burgim nën akuzën e “korrupsionit pasiv”./VOA